Apeli lë në paraburgim Vali Corleone

Gjykata e Apelit e ka lënë në paraburgim Prince Valentino Corleone, i njohur ndryshe si Vali Corleone.

Kjo masë ndaj tij ishte caktuar më 16 prill 2021 pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Përmes një komunikate për media, Apeli ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit P.C.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 16 prill 2021, sipas të cilit i pandehuri duhet të qëndroj nën këtë masë deri më 13 maj 2021.

Vali Corleone po  dyshohet nga ana e Prokurorisë se ka kryer dy vepra penale: “Mbajtja  në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve”  nga neni 366 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale: “Posedimi i paautorizuar  i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”  nga neni 269 par.1 i këtij kodi.

“Gjykata e Apelit,  vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur ndaj tij, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer veprat penale, për të cilën po dyshohet, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen në liri, ai  mund të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale, duke ndikuar në prova ose dëshmitarë, ose edhe ta përsërisë atë. Gjykata konstatoj se aplikimi i ndonjë mase tjetër më të butë, në këtë fazë nuk është i përshtatshëm”, thuhet në këtë komunikatë.

Ndërkohë, sipas komunikatës së Gjykatës Themelore në Gjilan mbi caktimin e paraburgimit të Vali Corleone, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, më 14 prill 2021, rreth orës 16:00, në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur armë automatike të llojit “Scorpion”, me pesë karikatorë dhe 118 fishekë të kalibrit 1.65 mm.

“Po ashtu në të njëjtën ditë i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e Policisë së Kosovës në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë janë gjetur (8) tetë qese substancë narkotike e llojit “kokainë”, në peshë prej 2.9 gram”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe “posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale. Meqenëse i pandehuri është një recidivist i veprave penale, po të gjendet në liri mund të kryejë vepra tjera penale”, përfundon komunikata e gjykatës.