“Ani Ani”, balada më e re nga NRG Band

“Ani Ani” është titulli i këngës më të re, të cilën e kanë sjellë për fansat e tyre anëtarët e “NRG Band”.

Projekti i ri është kompletuar edhe nga ana vizuale dhe është lansuar në kanalin zyrtar të grupit në YouTube.

Është një baladë që vjen e interpretuar në mënyrë të mahnitshme nga frontmeni Besnik Qaka dhe besohet se do të mirëpritet edhe nga publiku.

Kjo baladë më saktësisht flet për një tradhti, ndërsa videoja e tërë vjen bardh e zi dhe si protagoniste e klipit është edhe “Miss Kosova”, bukuroshja nga Prizreni, Fatbardha Hoxha.

Tekstin e ka shkruar Mithat Sadiku, kurse për muzikën është përkujdesur vet artisti Qaka.

Videoklipi i veçantë i është besuar produksionit “BUG Production”.

NRG Band vazhdojnë të jenë mjaft të angazhuar edhe në mbrëmje e ahengje të ndryshme muzikore.