Anëtari i VV-së thotë se duhet respektuar moratoriumi i dalë nga Marrëveshja e Washingtonit: Mendim i imi personal

Pasi ishte rrëzuar nga pushteti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte deklaruar se pas rikthimit në institucione nuk do të përfillte marrëveshjen e nënshkruar nga Hoti në Washington.

Lidhur me marrëveshjen e Washingtonit par pak ditësh ka folur edhe zëdhënësi i Qeverisë, Peparim Kryeizu, sipas të cilit, Marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike.

Megjithatë pavarësisht këtyre deklarimeve, anëtari i VV-së, Sabri Kiçmari, i cili ka një përvojë të gjatë në diplomaci, ka theksuar se Kosova do të respektojë zotimet e bëra në Washington, duke specifikuar se ky është mendim i tij personal dhe se për qëndrimet zyrtare të shtetit vendosin ata që janë të veshur me pushtet.

Ai për Kosovapress ka thënë se Kosova nga muaji shtator i këtij viti mund të fillojë aplikimet për anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Kjo pasi që në shtator skadon edhe moratoriumi 1 vjeçar për mos aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për të cilin Kosova u pajtua në Washington në shtatorin e vitit kaluar.

“Unë personalisht mendoj që nga shtatori Republika e Kosovës është krejtësisht e lirë në rrafshin ndërkombëtar që të procedojë me pranim në organizata ndërkombëtare në cilindo nivel që vlerëson se është me interes, por është mendim personal ndërsa për qëndrimet zyrtare sigurisht që kompetenca kanë përfaqësuesit që janë të veshur institucionalisht me të drejtën e vendimmarrjes… Qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje duhet të dakordohen plotësisht me miqtë tanë, me shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, dhe jam i sigurt që edhe ministrja, edhe kryeministri, në komunikimet e tyre zyrtare që kanë me përfaqësuesit e ShBA-së dhe vendeve mike të Bashkimit Evropian, do të numërojnë argumentet e mjaftueshme për rëndësinë që ka pranimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thotë Kiçmari për Kosovapress.