Rasti i Koulibalyt

Ancelotti: Tre herë kërkova ndalimin e ndeshjes ndaj Interit

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, ka thënë se ka kërkuar tre herë nga gjyqtari që të suspendohet ndeshja mes Interit dhe Napolit pas abuzimeve raciste nga fansat e Interit në drejtim të mbrojtësit Kalidou Koulibaly.

Interi e mposhti Napolin në momentet e fundit me rezultatin minimal 1-0 në kuadër të xhiros së 18-të në Serie A.

Koulibaly u ndëshkua me karton të kuq, pasi kishte duartrokitur me ironi gjyqtarin.

“I kam kërkuar informacione në lidhje me kartonin e kuq të Koulibaly, që ka vendosur ndeshjen, sipas mendimit tim”, ka thënë Ancelotti.

“Kemi mbetur me 10 lojtarë dhe kjo na ka kushtëzuar, edhe pse kemi shkuar afër golit”.

“Kemi kërkuar tri herë ndërprerjen e ndeshjes, Koulibaly është nervozuar, është normale. Zakonisht është i edukuar dhe profesionist. Spikeri i stadiumit ka bërë tri lajmërime, por nuk është bërë asgjë më shumë”.

“Zgjidhja? Herën tjetër do të largohemi ne nga fusha dhe do ta humbim ndeshjen në tavolinë. Nuk është një justifikim, nuk ka lidhje vetëm me Napolin, por me gjithë futbollin italian”.