Janë prezantuar listat zgjedhore të kandidatëve për deputetë nga radhët e të gjitha subjekteve politike që garojnë më 9 shkurt.
Analistët e “Debat Plus” kanë përzgjedhur të preferuarit e tyre nga lista e AAK-së, ndërsa në përzgjedhjen e të gjashtë analistëve figuronte emri i deputetit më aktiv të Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahirit, përcjellë Ballkani.info.
Ylli Hoxha tha se e përzgjedh Besnik Tahirin për shkak të rolit që e ka luajtur si Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, gjithashtu për kontributin në Këshillin e Evropës me lobim, si dhe i ka dhënë një atmosferë më të relaksuar raporteve me partitë tjera.
Ndryshe, Dardan Gashi ka thënë se Besnik Tahiri meriton votën për shkak se ka qenë Shef i Grupit Parlamentar jashtëzakonisht i mirë.
Fjalë të mëdha për Tahirin ka pasur edhe analisti Astrit Gashi, i cili ka thënë se ai ka qenë një prej deputetëve më aktiv të Kuvendit të Kosovës.
“Është deputeti më koherent dhe konsistent në punën që e bën, qoftë me ligjet, me idetë, nismat”, tha analisti i mirënjohur, Imer Mushkolaj.
Në anën tjetër edhe Visar Ymeri ka pasur fjalë miradie duke thënë se zgjedh patjetër Besnik Tahiri, pasi sipas tij ai është prej deputetëve më të mirë të Kuvendit të Kosovës, jo vetëm nga AAK-ja.
Edhe analisti Kastriot Jahaj përzgjedhi në listën e tij numrin 10 të AAK-së, duke thënë se është profesionist i dëshmuar, dhe që nuk diskutohet prezenca e tij në Kuvendin e Kosovës. /Ballkani.info/







