Ambasadori izraelit në Serbi: E njohëm Kosovën nën presionin amerikan

Ambasadori izraelit në Serbi, Jahel Vilan ka thënë se vendi i tij e ka njohur pavarësinë e Kosovës nën presionin amerikan.

Vilan ka thënë se ky vendim ishte kundër interesave të Izraelit në Serbi, por u mor nën presionin amerikan.

“Mos më keqkuptoni, është një temë e rëndësishme, por është një histori tjetër. Vendimi i Izraelit për të njohur pavarësinë e Kosovës u mor nën presionin amerikan, përndryshe të mos harrojmë se u bë brenda kornizës së marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës me Amerikën, dhe jo me ne. Unë nuk jam duke u përpjekur të fshihem pas kësaj, ai vendim u mor nga Izraeli pas shumë vitesh që ne nuk e kemi njohur Kosovës. Kjo është kundër interesave tona në Serbi”, tha ai për TV Prva, transmeton Reporteri.net.

I pyetur nëse Izraeli do ta rishikonte vendimin për njohjen e Kosovës, Vilan tha se nuk e sheh një mundësi të tillë.

“Unë nuk shoh një mundësi të tillë për momentin. Është arritur një marrëveshje, Izraeli e ka njohur Kosovën dhe Kosova do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem. Nuk shoh mundësinë që të tërhiqet kjo njohje përderisa të dy palët janë pajtuar për atë  marrëveshje”, tha ai.