Dialogu

Ambasadori britanik diskuton me Bislimin për procesin e dialogut

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreavas, është pritur në takim të enjten nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me të cilin kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend e edhe për procesin e dialogut.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se ambasadori ka thënë se është privilegj të shërbejë në këtë pozitë.

“Ambasadori nënvizoi se është kënaqësi dhe privilegj të shërbejë në këtë pozitë dhe të kontribuojë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Ai kujtoi herën e fundit në vitin 2001 kur ka qenë në Kosovë, duke evidentuar se sa mbresëlënëse është progresi dhe zhvillimi i shpejtë që ka njohur vendi, si dhe demokracia e konsoliduar. Duke shprehur mirënjohje për mesazhin e ambasadorit në fillim të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se vendi ynë është i drejtuar në një trajektore pozitive të zhvillimit, e ku kemi pasur progres, përtej barrierave, me të cilat jemi përballur”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Më tej thuhet se Bislimi e ka falënderuar ambasadorin britanik për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.

VIDEO BONUS: Në kompleksi Kodra e UÇK-së në Ngucat ndizen flakadanët për Epopenë e UÇK-së, merr pjesë Muharremaj