Ambasada amerikane uron Kosovën për ndeshjen ndaj Anglisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka lavdëruar ekipin kombëtar të Kosovës për paraqitjen e mirë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Anglisë, duke shtuar se, në sport dhe në shuma fusha të tjera, Kosova po e dëshmon se është gati për ligat e mëdha.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5-3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë.

Megjithatë, përkundër rezultatit të kësaj ndeshjeje, Ambasada e SHBA-së i lavdëroi “Dardanët” për paraqitjen e shfaqur në fushë.

“Urime ekipit kombëtar të Kosovës për paraqitjen e mirë kundër Anglisë. Në sport, ashtu si në shuma fusha, Kosova është duke e dëshmuar veten se është gati për ligat e mëdha. Mezi po e presim rimeçin në shtëpi”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga ambasada amerikane.

https://www.facebook.com/kosovo.usembassy/posts/3617841741575288

Takimi i mbrëmshëm nisi furishëm dhe Kosova kaloi në epërsi falë një gabimi të mbrojtësit anglez Keane. Vedat Muriqi e vodhi topi dhe asistoi te Valon Berisha që shënoi pas 41 sekondave lojë.

Përgjigja e Anglisë ishte e shpejtë me Raheem Sterling që shënoi me kokë në minutën e 8-të.

Anësori i Manchester City pastaj asistoi për Harry Kane, i cili e mashtroi Mërgim Vojvodën dhe mposhti portierin Arijanet Muric, duke i dhënë epërsinë anglezëve për herë të parë në takim në minutën e 19-të.

Gjërat u vështirësuan për vizitorët, pasi brenda shtatë minutave morën tre gola. Vojvoda shënoi në portën e vet, para se Jordan Sancho të shënonte dy herë në minutat 44’ dhe 45’.

Kombëtarja dardane u rikthye furishëm në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të shpejtë. Valon Berisha me golin e dytë personal e mposhti Jordan Pickfordin në minutën e 49-të, para se Vedat Muriqi të shënonte nga penalltia, të cilën e kishte fituar vetë gjashtë minuta më vonë.

Vendasit kanë mundur ta thellonin epërsinë sikur Harry Kane të shënonte nga penalltia në minutën e 65-të. Por, Muric e lexoi dhe e mbrojti gjuajtjen e sulmuesit anglez.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 0-3 Malin e Zi.

loading…