Aliu: Baca Ukshin na lehtësoi burgimin

​Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Libur Aliu, në 20 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të Ukshin Hotit, ka thënë se ai asnjëherë nuk është përkulur para torturave dhe kjo ndikoi te të burgosurit tjerë për ta bërë më të lehtë burgimin.

Aliu ka kujtuar takimet me të në burgje, duke thënë se guximi i tij nuk ishte i momentit por ishte çdoherë i pranishëm, pasi ishte pjesë e tij.

“Bacën Ukë e pamë të gjithë duke mos u përkulur fare as gjatë torturave që përjetuam në burgun e Nishit e në fundin e prillit të vitit 99, ishte po i njëjti ashtu koklartë kudo. Shembujt e tillë bënin që për ne të burgosurit për ato vite burgimi të mos ishte i rënd, burgosurit qëndruan shumë mirë dhe e ruajtën dinjitetin e tyre edhe atje në Serbi por për këtë ndihmonin njerëzit me karakter të fort siç ishte baca Ukë”, tha ai.

Sipas tij, Ukshini i rezistoi edhe joshjes që ndodhi para arrestimit të tij.