Albulena Haxhiu: Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për çlirim!

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka thënë se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim”, por nuk ka përmendur emrat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Ish-Ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se votimi i Gjykatës Speciale ishte padrejtësia më e madhe që nga paslufta.

“Historikisht për atë votim do mbahen mend deputetët që e votuan dhe ata të cilët bën presion mbi deputetët e Kuvendit! Shumë lutje e kërkesa për mosvotim i kemi bërë në atë kohë ndaj deputetëve, e kontestuam edhe në Gjykatën Kushtetuese”.

“Aq e rëndë ishte goditja që planifikonin t’ia bënin luftës për çlirim, saqë më kujtohet se pata refuzuar edhe leximin e rekomandimit të Komisionit për Legjislacion që theksonte se amendamenti 24 që ishte proceduar nga Qeveria e asaj kohe Pdk-LdK dhe Lista serbe, ishte kushtetues pavarësisht që nuk ishte i tillë”.

Haxhiu ka risjellë një pjesë të fjalimit të saj në Kuvend, që ajo e ka quajtur lutje, kur kishte kërkuar të mos votohej Gjykata Speciale, njofton Klan Kosova.

“Për këtë, ju bëjë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët edhe në qoftë se vetëm një ditë e kanë pasur të veshur uniformën e UÇK-së, nëse vetëm njëherë kanë marrë frymë nën petkun e asaj uniforme, mos e Votoni themelimin e gjykimit të asaj në emër të së cilës luftuat! Mos e votoni duke kujtuar ata që kanë rënë!”.

Ajo ka thënë se “është e pafalshme se si 21 vite pasluftës, asnjëherë krimet e Serbisë nuk janë trajtuar seriozisht dhe gjenocidi i Serbisë ka mbetur i pandëshkuar dhe kriminelët serb enden të lirshëm!”.