Albini në kërkim të “armiqve” që e shpëtojnë nga dialogu

Nga Mero Baze

Albin Kurtit i është prishur agjenda me të cilën përpiqej të injoronte agjendën ndërkombëtare për Kosovën, duke e renditur dialogun me Serbinë aty “diku nga vendi i shtatë”. Tani i ka dalë i pari. Në çdo lëvizje ndërkombëtare që bën, i del para dialogu. Dhe në fakt, ai nuk e ka problem dialogun si process, por përballjen me gënjeshtrat e veta, që dialogu ia nxjerr zbuluar.

Dhe pikërisht për këtë, po përpiqet të gjejë një rrugë ta prishë dialogun me dorën e të tjerëve.

Deri më sot ai ka ngritur një kauzë të tërë që imponimi i dialogut me Serbinë ka ardhur ngaqë Shqipëria është përfshirë në projekte rajonale, diktuar nga procesi i Berlinit. Dhe s’ka lënë gjë pa shpikur kundër katër parimeve të procesit të Berlinit për rajonin, që parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, të kapitaleve, të krahut të punës dhe digjitalizimit.

Dhjetëra “teologë” kanë shpikur teori se si po krijohet me ndihmën e Merkelit, Jugosllavia e Re dhe si Shqipëria po bëhet Republikë e Shtatë. E gjitha ka qenë se i duhej një armik në Shqipëri dhe ai të quhej Edi Rama.

Deri këtu në rregull, se është zgjedhje e tij. Pra e ka zgjedhur Edi Ramën si armik, meqë Shqipëria është e përfshirë në procesin e Berlinit, që nxit bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Juglindor mes Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

Tani duket se po krijon një skemë të re për t’i shpëtuar këtij dialogu. Dhe prapë do armik Edi Ramën.

Qyshkur ka ardhur në pushtet po belbëzon idenë e paditjes së Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare për gjenocid ndaj Kosovës. Po shkon gjashtë muaj në pushtetin e dytë të tij dhe akoma nuk e ka bërë. Serbia është më e interesuar se Albin Kurti për atë padi.

Për gjithë populistët që spekulojnë me termin gjenocid, ai nuk është term kafenesh patriotike, por term juridik i pranuar nga një konventë e OKB në vitin 1948 dhe që nënkupton shfarosje masive të një popullsie mbi baza etnike, shkatërrimin mendor apo fizik të tyre me paramendim në mënyrë masive, shkatërrimin e qëllimshëm të kushteve të jetesës me objektiv zhdukjen fizike të tyre, krijimin e kushteve diskriminuese për shkatërrimin e lindjeve brenda grupit etnik, apo zhdukjen me forcë të fëmijëve të tyre etj.

Në Kosovë ka pasur krime të rënda të Serbisë, ka pasur masakra të rënda dhe elementë të gjenocidit kur nisën shpërnguljet masive pas bombardimeve, por që u ndalën nga NATO dhe u rikthyen në shtëpitë e tyre. Serbia nuk ja ka rritur të kryejë genocid ndaj Kosovës. Nuk e vë në dyshim që ka dashur, por nuk ja doli dot.

Padia për genocid do argumente të fortë materiale dhe juridike, do përmbajtje të tillë që ta fitosh atë betejë. Shqipëria ka bërë 25 rezoluta Parlamenti për krimet e Serbisë në Kosovë, duke ju referuar edhe si gjenocid, por ato janë deklarata politike.

Kosova ka bërë vetëm një rezolutë. Por diferenca mes një rezolute politike për gjenocid dhe një akuze në gjykatë për gjenocid është aq larg, sa janë gënjeshtrat e Albinit në fushatë me ato që po bën në qeveri.

Albin Kurti e ka hapur këtë çështje me qëllim të sulmojë qeveritë e 20 viteve se gjoja kanë fshehur gjenocidin ndaj Serbisë, dhe nga ana tjetër bën sikur do ta padisë vetë, por nuk e bën.

Tani ka filluar të belbëzojë se do t’ia kërkojë Shqipërisë ta bëjë këtë. Dhe pastaj kuptohet. Po nuk e bëri, Shqipëria është si Serbia.

Ky palaço që nuk përballet dot as me gënjeshtrat e veta, dhe as me problemet e shtetit të Kosovës, është i lirë ta bëjë padinë për gjenocid që ka premtuar para shqiptarëve, bashkë me atë kukullën me kaçurrele. Por të jetë i sigurtë se kur ta humbasë atë çështje dhe të pastrojë përjetësisht Serbinë me vendim gjykate nga krimet që ka bërë në Kosovë dhe t’i japë të drejtë revanshit të saj kundër Kosovës, të bëjë mirë llogaritë ku do të shkojë vetë.

Ai e di mirë këtë, ndaj tani pasi ka përbaltur kundërshtarët e vet për këtë çështje spekulative, kërkon të përbaltë dhe Shqipërinë dhe ky të dalë heroi që kërkon të zbulojë gjenocidin, por e pengojnë ish- qeveritarët e Kosovës dhe kjo e Shqipërisë, që nuk e kanë paditur dhe nuk e padisin Serbinë.

Le ta padisë vetë Serbinë dhe le të marrë përgjegjësinë për vendimin e Gjykatës, nëse humbet, pasi i ka bërë ndërkohë Serbisë, shërbimin më të madh në histori.

Por ai nuk ka për ta bërë këtë. Ai po e hap këtë temë vetëm si të shmangë dialogun me Serbinë, që është në agjendën ndërkombëtare. Ai thjesht do një shkak që të mos detyrohet të përballet me gënjeshtrat e veta.

Dhe natyrisht do që dëshiron ta ketë Shqipërinë, “një armik në dispozicion”, që të ndjehet i rrethuar gjithandej me armiq, nga Serbia, Shqipëria, SHBA, Evropa, dhe të mos e shqetësojnë qytetarët për hallet e tjera.

Ka luftë të madhe për të bërë, s’ka kohë për halle të vogla. Ato i zgjidhin kushërinjtë dhe rrethet e reja familjare që po marrin pushtetin.