“Albin Kurti si opozitar kërkontë fuqizimin e sindikatave, si kryeministër kërkon ndryshimin e tyre”

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, atëbotë udhëheqës i partisë më të madhe opozitare në vend, thirrej në përkrahje të sindikatave me ardhjen e tij në pushtet duke premtuar rritje të pages minimale, pushimit dhe orarit të punës nëpërmjet themelimit të Gjykatës së Punës.

Kreu i opozitës para dy vitesh në takime që mbante me sindikata theksonte rolin e sindikatave, raporton lajmi.net.

“Ne duam që sindikata të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohet kur sindikatat janë të forta. Kontratat në vendet e punës, kontratat duhet të mbrohen nga shteti dhe sindikatat. Ka disa veprime që do ndërmarrin në vazhdim. Ne e mbështesim kontratën kolektive që i rregull dhe në këtë kontekst përfituese është edhe vet shteti. Ne do të themelojmë Gjykatën e Punës për kontratat kolektive sepse shkeljet e mëdha duhet të gjykohen por edhe të voglat nuk duhen anashkaluar”, deklaronte ai.

“Vendimi për pagën minimale ka për qëllim të garantojë një minimum të të ardhurave për punëtoret në mënyrë që të sigurohet një standard më të mirë jetësor. Por sa do që është i rëndësishëm ky vendim nuk mund të merret me lehtësi pa një studim të mirë të tregut dhe pa një kategorizim që u mundëson konsultimin e te gjitha grupeve të punës. Së bashku me vendimin duhet ta analizojmë edhe zbatimin e tij të deritashëm sepse kur shteti nuk funksionon ligjet dhe vendimet janë të kota”, thoshte ndër të tjera Kurti.

Gjatë kohës sa mbaheshin grevat e sindikatave të arsimit, shëndetësisë e policisë dy vite më parë, Kurti paraqiste nevojën për një projektligj të ri, që sipas tij, plotëson pakënaqësitë dhe e eliminon barazinë. Ai këto i pati deklaruar pak para vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë projektligj, që më pas u shpall si anti-kushtetues.

“Veç se ne as si deputetë sot as si qeveri nesër nuk mund t’i dalim përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast të gjitha që do të thuhen aty do t’i adresojmë. Përndryshe, unë besoj që kemi nevojë për një projektligj të ri, pra që e plotëson dhe e ndryshon këtë aktualin, në mënyrë që pabarazitë e ngelura të eliminohen”, thoshte ai.

“Të mos harrojmë që edhe me këtë Ligjin e ri për Paga, ta zëmë shoferi apo vozitësi i Kryeparlamentarit e ka pagën më të lartë se drejtori i shkollës. Andaj pabarazitë e ngelura janë të papranueshme dhe duhet të adresohen në një projektligj të ri për pagat”, deklaronte Kurti, tashmë kreu i ekzekutivit.

Kurti kërkesat sindikale të punëtorëve të shëndetësisë e arsimit parashihte t’i zbatonte nën një ombrellë – përmes Gjykatës së Punës. Gjykata e Punës përmendet shkurt në planprogramin qeverisës së legjislaturës së tetë, ndonëse qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për themelimin e saj.

“Ndër të tjera, gjatë qeverisjes sonë, do të themelojmë Gjykatën Administrative dhe Gjykatën e Punës”, përmendet shkurt ajo në nënkapitullin e Shëndetit publik dhe mbrojtjes sociale.

Megjithatë, kur u pyet për pakënaqësitë sindikale gjatë ditës së djeshme kryeministri Kurti në konferencë, ai tha se do të ishte mirë që të ndodhnin ndryshime në krye të organizatave sindikale.

“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, deklaroi ai.

Kryeministri Kurti, përgjatë një takimi me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përmendte edhe pagën minimale që do të rritej në 250 euro.

“Falë organizimit sindikal në botë pushohet gjatë vikendeve e punohet me 8 orë. Është e gjatë lista që ka pasë ndikim në jetën tonë veprimet sindikale. Dekada e fundit për punëtorin kosovar ka qenë e kobshme për shkak të regjimit të Millosheviqit, e pastaj nuk kanë mundur të kthehen më në punë. E dimë që kemi papunësi të mëdha në Kosovë. Të qenurit i papunë nuk është problemi i vetëm, kur je në punë ka shumë probleme, mungesa e sigurimit shëndetësor, mos pagesa gjatë punës mbas orarit etj. Punësimi i pasigurt është problem i madh. Pandemia e ka pasur një anë pozitive për punëtorët, ka reflektuar te shoqëria për punët që më herët nuk i kanë dhënë rëndësi. Gjendja e punëtorëve është trashëgimi që jemi përballur nga dita e parë e punës. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve. Paga minimale do ta risim në 250 euro”, deklaronte para dy muajsh Kurti.

Organizimet sindikale, pas deklaratave të djeshme të Kurtit, kanë paralajmëruar greva deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët mes tyre dhe Qeverisë.