Albin Kurti prezanton aderimin e Adriana Matoshit: O sa mirë!

Kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, ka prezantuar anëtarësimin e mbrëmshëm të Adriana Matoshit, shkruan Ballkani.info.

Kurti në Facebook, ka thënë se ajo është ndër aktoret më të mira shqiptare dhe më të kërkuara në lëmin e saj.

“Adriana është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, dhe ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit në vitin 2007 dhe po ashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri. Ajo ka luajtur shumë role gjatë karrierës së saj, mirëpo roli më i rëndësishëm vazhdon të jetë ai i gruas aktiviste”, shkruan Kurti.

Kreu i VV-së ka shtuar se Adriana Matoshi është në mesin e 41 grave në listën e tyre të referendumit për deputete të ardhshme në Kuvendin e Kosovës.

Postimi i plotë:

O sa mirë!

Adriana Matoshi u anëtarësua mbrëmë në VETËVENDOSJE!. Adriana është një ndër aktoret më të mira shqiptare dhe ndër më të kërkuarat në zejen e filmit në vend. Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, në klasën e Profesor Faruk Begollit. Disa nga çmimet e shumta kombëtare e ndërkombëtare që ka fituar janë: çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, në Brazil, Valencia të Spanjës si dhe në Paris, çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Zana” në Berlin, dhe në Neë Jork është shpërblyer edhe për rolin e saj në filmin “T’padashtun”. Përkundër roleve të saj në film, ajo ka luajtur edhe në shumë shfaqje teatrale si “Mësimi”, “Kumbara”, “Dejzilend”, “Shtëpia e Berndarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Tudje srce”, “Romeo and Juliet”, etj. Adriana është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, dhe ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit në vitin 2007 dhe po ashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri. Ajo ka luajtur shumë role gjatë karrierës së saj, mirëpo roli më i rëndësishëm vazhdon të jetë ai i gruas aktiviste. Adriana Matoshi është në mesin e 41 grave në listën tonë të referendumit për deputete të ardhshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.