Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot feston ditëlindjen e 47-të. Kurti ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë.
Ai është kryeministri i katërt dhe i gjashtë i Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Albin Kurti iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme, për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.
Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, ai filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.
Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.
Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Aksionit për Kosovën e avancuan atë në subjektin Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje deri në mars të vitit 2015. Ai garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në janar të vitit 2018 dhe i fitoi ato. Në periudhën 2005-2017, Kurti kaloi rreth një vit e gjysmë si i arrestuar nga UNMIK-u, EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë.
Në tri palë zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë kandidati i partisë për kryeministër. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2019, Kurti dhe partia e tij fitoi numrin më të madh të votave.
Në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, lista e Vetëvendosjes fitoi 50.28 për qind të votave.
Kurti është i martuar me Rita Augestad Knudsen dhe kanë një vajzë, Lean.







