Albin Kurti është takuar sot me “argatin e Serbisë”

LDK e VV dakordohen për rrëzimin e qeverisë, në mocion mungojnë rreth pesë nënshkrime. Dy liderët e dy partive kryesore opozitare janë takuar sot në një restorant.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ai i Lëvizjes Vetëvendosje janë takuar sërish të mërkurën. Bashkëpunimi i tyre, mund të jetë lajm jo i mirë për koalicionin qeverisës.

Isa Mustafa është takuar të mërkurën me Albin Kurtin me ç’ rast kanë bërë me dije se janë afër finalizimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë.

Megjithatë, duket se ende nuk i kanë votat e mjaftueshme, 61 sa duhen minimalisht për rrëzimin e Qeverisë, shkruan Ballkani.info.

Ky bashkëpunim ndërmjet Mustafës dhe Kurtit po shihet jo parimor, pasi që vetëm dy vjet më parë, Kurti dhe partia e tij e akuzonin Isa Mustafën si argat të Serbisë.

Përveç këtyre akuzave, VV-ja e kishte sulmuar shtëpinë e Isa Mustafës në Prishtinë edhe me Molotov, si dhe i kishin shkuar në shtëpinë tjetër në Prapashticë.

Jo vetëm kaq, Albin Kurti dhe VV-ja në vazhdimësi thoshin se Isa Mustafa është i njëjtë si Hashim Thaçi. /Ballkani.info/