Kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputete, Albana Bytyqi, ka shprehur shqetësimin e saj për trendin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se vendi po humb një numër të madh të rinjsh në moshë pune.

Sipas një reagimi të saj publik, Bytyqi ka theksuar se bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe statistikat e vendeve pritëse, veçanërisht të Gjermanisë, vlerësohet se gjatë periudhës 2021–2024 rreth 150 mijë deri në 200 mijë qytetarë të Kosovës kanë emigruar ose janë vendosur jashtë vendit.

Ajo ka nënvizuar se pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj të moshës 18 deri në 40 vjeç, grupmoshë që përbën shtyllën kryesore të tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas saj, vetëm në Gjermani gjatë këtyre viteve janë regjistruar dhjetëra mijëra shtetas të Kosovës me leje pune, studimi ose qëndrimi.

“Këtë nuk e meriton Kosova. Duhet ta ndryshojmë gjendjen”, ka deklaruar Bytyqi, duke bërë thirrje për politika që krijojnë më shumë mundësi punësimi, perspektivë për të rinjtë dhe kushte më të mira jetese në vend.

Bytyqi, e cila ka garuar me numrin 6 në listën e AAK-së, ka vlerësuar se ndalja e trendit të largimit të qytetarëve duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës.