Spanjollët

Alba e mirëpret Moratan te Barcelona

Mbrojtësi i Barcelonës, Jordi Alba do të ishte i lumtur nëse sulmuesi i Chelseat, Alvaro Morata i bashkohet katalanasve.

Morata ka qenë i lidhur me një kalim në “Camp Nou” gjatë janarit, derisa vazhdon të ketë formë të dobët te “The Blues”.

Alba, që është bashkëlojtar me Moratan te kombëtarja e Spanjës, ka thënë se do të ishte i lumtur nëse 26 vjeçari do të transferohej te “Blaugranat”.

“Morata është një lojtar që e vlerësoj shumë, ka qenë top lojtar prej shumë vitesh. Në fund vendimi i takon klubit nëse dëshirojnë ta transferojnë, siç funksionon me secilin futbollist tjetër. Nëse spekulimet janë të vërteta, do të ishte i mirëpritur, ashtu si çdo futbollist tjetër i ri”, tha Alba.

Morata këtë sezon ka arritur të shënojë vetëm 7 gola në 21 paraqitje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Chelseat, derisa stinorin e kaluar realizoi 15 gola në 48 ndeshje.