Akuzat e rënda ndaj Prokurorisë | Ambasadori amerikan i shkon në zyre Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shkuar në Qeverinë e Kosovës.

Takimin mes Hovenier dhe Kurtit për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu, mes tjerash, tha se ky takim është në kuadër të takimeve të përjavshme mes Kurtit dhe Hovenierit.

Megjithatë, nuk dihet nëse ky takim ka të bëjë me deklaratat e Kurtit për sulme ndaj prokurorit Blerim Isufaj.

Kurti në Kuvendin e Kosovës e ka sulmuar prokurorin Blerim Isufaj, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili ishte edhe anëtar i LVV-së.

“Është e vërtetë që dje u arrestuar kryeshefi i KEK-ut , Nagip Krasniqi dhe ai është në ndalje 48 orë. Është sistemi I drejtësisë ai që merret me të. Ka fakte dhe urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm. Në anën tjetër është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Mirëpo ky është fakt i opozitës. Ne e dimë se ka pasur kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar në Prokuroria. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi i cili bë vitin 2022 ia solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, ka thënë Kurti.