Dubrava

Aktakuzë kundër një serbi për Masakrën e Dubravës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër G.M, i cili është i nacionalitetit serb, ndërsa ka edhe shtetësinë e Kosovës nën dyshimin se ka marrë pjesë në masakrën e burgut të Dubravës.

Sipas prokurorisë, ai më 22 maj 1999, ishte pjesëtar në vrasjen e 109 të burgosurve dhe në plagosjen e 108 të burgosurve të tjerë, të gjithë viktimat ishin shqiptarë.

Aktakuza u ngrit në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndërsa mbi të rëndon akuza për veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, theksohet në një njoftim të kësaj prokurorie.

“Hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar, në mungesë, pasi që të njëjtit janë të pa arritshëm për organet e rendit”.