Nëntë persona janë lënduar në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Podujevë. Ndërsa mjeku kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, Ejup Govori tregoi për Demokracia.com gjendjen e pacientëve të lënduar.

Govori tha se njëri nga pacientët është në gjendje të rëndë dhe tre janë liruar. Të tjerët janë duke marrë ende trajtim.

“Njëri është në gjendje të rëndë është një poli-traumë e rëndë, është pa vetëdije, ndërsa të tjerët janë jashtë rrezikuar për jetë dhe janë me lëndime më të lehta. Nëntë persona kanë marrë trajtim në QKUK, tre prej tyre janë liruar dhe të tjerët janë ende në trajtim e sipër”, tha Govori.

Kujtojmë se aksidenti mes tri automjeteve ka ndodhur sot rreth orës 09:30 në rrugën Prishtinë-Podujevë, dhe si pasojë kanë vdekur dy persona në vendin e ngjarjes.

Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

“Hetuesit nga njësiti i hetimeve të trafikut rrugor në koordinim me prokurorin e shtetit, që poashtu ndodhet në vend ngjarje janë duke u marrë me rastin”, thuhet në njoftime policisë.

Policia ka konfirmuar se rruga është e bllokuar aktualisht, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugët alternative.