AGK shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit Rrok Berisha

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim mori lajmin për vdekjen e gazetarit të njohur, Rrok Berisha, në moshën 62 vjeçare.

Karrieren e tij prej gazetari e kishte filluar në vitin 1978 në Radiotelevizionin e Prishtinës deri në mbylljen e dhunshme të këtij mediumi në vitin 1990.

Gazetari Rrok Berisha përmes shkrimeve politike e kishte sfiduar aparteidin etnik të instaluar nga regjimi i Milloshoviqit përgjatë viteve të 90-ta.

Rrok Berisha, gazetar, politikan dhe poet, vdiq sot në rrethana kur profesioni i tij i parë, gazetaria ka nevojë për dijen dhe përvojën e tij, për ta bërë atë të denjë për një shoqëri demokratike.

Vdekja e tij do të thotë humbje e madhe për gazetarinë dhe opinionin publik. Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë, i shpreh ngushëllime familjarëve, të afërmeve dhe miqve të të ndjerit Rrok Berisha.