Agim Veliu e pranon se e gjuajti me ujë Xhafer Gashin: S’e gjuajta për ta flladitur

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka folur në lidhje me procesin zgjedhor brenda degës së LDK-së në Podujevë, duke kritikuar kryesinë e kësaj partie.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka pretenduar se “Kuvendi Zgjedhor i degës nisi me shkelje të Rregullorës së punës”.

“Kuvendi Zgjedhor i Degës nisi me shkelje të Rregullores së punës, sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe. Për shkeljen e fundit të Rregullores, kryetari i deleguar nga Lumiri, kishte përkrahjen edhe të shumicës së delegatëve, që ishin ulur aty. E shumica ishte deleguar nga takime “zgjedhore” të mbajtura nëpër kafehane e strehë objektesh.” – tha ai.

Ai ka quajtur disa aktivistë të partisë “argatë të kryetarit të Lumirit”, duke thënë se me “miratimin e kumbarës Xhafer Gashi” mbushën procesverbalet dhe mblodhën nënshkrimet që Ekrem Hyseni t’i fitojë votat.

“Rëndësi kishte që argatët e kryetarit të Lumirit, me miratimin e kumbarës Xhafer Gashi, të mbushnin procesverbalet dhe të mblidhnin nënshkrimet e duhura që “doku” të sigurojë numrat. Aspak i habitur me veprimet e Lumirit dhe kryeargatit të tij në Llap. Por, pak i befasuar me misionin e ish-luftëtarit të UÇK-së që të bëhet kumbar i vrasjes së demokracisë në Llap, duke i kontribuar përligjjes së manipulimit të procesit zgjedhor.” – u shpreh ai.

Veliu e ka konfirmuar se ka hedhur ujë në drejtim të Xhafer Gashit, duke thënë se nuk ndodhi “për të flladitur” siç tha ai.

“Pas përfundimit të fjalës kam lëshuar sallën dhe në dalje kam bërë një veprim politik simbolik, duke i hedhur pak ujë Xhaferit, por jo për ta flladitur nga zhegitja siç ka thënë ai, as për t’ia pastruar fytyrën, por për t’ia bërë me dije atij dhe opinionit për rolin dhe hisen e tij në manipulimin e krejt procesit zgjedhor.” – ka shkruar tutje Veliu.