Agim Ademi e cilëson korrekt sezonin e Superligës

Korrekt e ka cilësuar sezonin e sapo përfunduar të Superligës së Kosovës, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Në një mesazh urimi për përmbylljen e sezonit, Ademi ka thënë se është i lumtur që kampionati dhuroi emocione deri në minutat e fundit.

“Fundjavën që e lamë pas u përmbyll pjesa e rregullt e kampionatit në IPKO Superligë dhe në Ligën e Parë, derisa edhe në ligat tjera kemi arritur në finish. Pas një gare shumë interesante dhe me rivalitet të skajshëm sportiv, që mbase nuk mbahet mend si e tillë deri tash, titullit të kampionit në elitën e futbollit tonë iu gëzua me meritë KF Feronikeli, që në ndeshjen e fundit të kampionatit arriti të shënojë fitore ndaj konkurrentit direkt Prishtinës, për t’u kurorëzuar me titullin e tretë në histori të klubit. Jam i lumtur që ky kampionat na dhuroi emocione deri në 90 minutat e fundit, ku edhe një herë u dëshmua se nëse punohet seriozisht, vendosen objektivat me kohë dhe ka investime në klube, atëherë edhe suksesi është i arritshëm”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe inkuadrimi i Vushtrrisë e Dukagjinit në Superligë do t’i bëjnë mirë futbollit “duke pas parasysh organizimin e tyre dhe përkrahjen e gjerë që gëzojnë nga tifozët”.

“Duke i përgëzuar të gjitha klubet për një edicion në përgjithësi korrekt, shpresoj se ky kampionat do t’i shërbejë të gjithëve si nxitje për organizim edhe më të mirë për edicionin e ardhshëm në të gjitha rangjet, në mënyrë që të rrisim edhe më tutje cilësinë e lojës por edhe shikueshmërinë në futbollin tonë”, ka thënë në fund Ademi.