Afera e ryshfetit, Dugolli: Liburnin e njoh, nuk korruptohet

Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ka reaguar për raportimet e fundit të mediave ku dyshohet se në një aferë korruptive është i përfshirë këshilltari i Liburn Aliut, Florent Ramqaj.

Në një postim në Facebook, Dugolli i ka dalë fuqishëm në mbrojtje Aliut duke thënë se ai sipas tij ishte i përfshirë në luftën për liri.

“Prandaj një gjë jam shumë i sigurt, për aq sa e njoh, dhe e njoh shumë mirë, Liburn Aliu nuk frikësohet e shantazhohet, e aq më më pak të korruptohet”, ka shkruar Dugolli.

“Çuditërisht, Liburnin u munduan ta pengojnë e ndalojnë edhe në fillim të mandatit (e që pastaj u vërtetua që nuk kishte asgjë të keqe, sepse kishte mbrojtur interesin publik), por ai nuk u ndal sepse e drejta mund të vonon por ajo triumfon”, ka shkruar tutje ai.

Postimi i plotë i Dugollit:

Liburn Aliun e njoh në kohë të vështira. E njoh atëherë kur disa bënin biznes me Serbinë dhe kritikonin ata që merrnin guximin të organizoheshin për të fituar lirinë.

Prandaj një gjë jam shumë i sigurt, për aq sa e njoh, dhe e njoh shumë mirë, Liburn Aliu nuk frikësohet e shantazhohet, e aq më më pak të korruptohet.

E di që figura e pastër e Liburnit edhe mund t’i trembë disa, por s’kemi çka bëjmë, ai nuk do ua lag fytin askuj. Le të kokorizin sa të duan.

Çuditërisht, Liburnin u munduan ta pengojnë e ndalojnë edhe në fillim të mandatit (e që pastaj u vërtetua që nuk kishte asgjë të keqe, sepse kishte mbrojtur interesin publik), por ai nuk u ndal sepse e drejta mund të vonon por ajo triumfon.

Dhe për fund, duke besuar plotësisht në punën e mirë dhe të ndershme të Liburnit, po dua të them; shumë mirë që kanë filluar hetimet, ama le të shkojnë deri në fund edhe ndaj atyre që për motive të ndryshme po tentojnë të njollosin figurën e tij.