Autori i emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi, ka folur për Ballkani.info në lidhje me mundësinë e tij për t’u larguar nga KTV-ja e për të kaluar në Klan Kosova duke zëvendësuar z.Baton Haxhiu.
Kelmendi që kryen prodhimin e emisionit Rubikon për KTV-në ka thënë për Ballkani.info se nuk ka asnjë përplasje me drejtoreshën e Kohës, Flaka Surroi, apo me shkrimtarin dhe vëllain e saj, Veton Surroin, por se oferta është shumë serioze.
Megjithatë, ai bën të ditur se i duhet ende kohë për ta shqyrtuar ofertën dhe se nuk ka vendim për rastin.
“Kam ofertë shumë serioze, por nuk ka vendim. Më duhet [ende] kohë me e shqyrtu. Nuk ka absolutisht asnjë përplasje me Flakën ose Vetonin, të cilët janë ndër njerëzit që i çmoj më së shumti në këtë vend. Edhe absolutisht nuk ka të bëj me asnjë parti politike.” – ka thënë z.Kelmendi në një prononcim të shkurtër për Ballkani.info
Më tej, ai ka treguar se ka pasur edhe oferta të mëhershme nga Klan Kosova sa ishte Baton Haxhiu në këtë televizion, e se ka edhe tash pas dorëheqjes së këtij të fundit.
“Kam pase ofertë edhe më herët nga Klani, kam edhe tash kur ka dalë Batoni.” – përfundon Kelmendi.







