Abrashi i LVV-së pretendon se Vlora Çitaku ka lidhje me ish-agjentin e FBI-së

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, po pretendon se nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka lidhje me ish-agjentin e rangut të lartë të Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA (FBI), Charles McGonigal.

Aktakuza kundër ish-agjentit amerikan tregon se ai ka pasur lidhje të dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.

Kësisoj, Abrashi i cili ka publikuar dy fotografi ku Çitaku, që ishte ambasadore e Kosovës në ShBA, shihet ndër të tjera edhe me ish-agjentin McGonigal, thotë se “të gjithë shqiptarët tashmë janë të njohur për ‘rastin Mcgonigal’, ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, dhe lidhjen që kishte me politikanët shqiptarë, por edhe me oligarkë rusë”.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, është akuzuar për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe pjesëmarrje në pastrim të parave, derisa ka punuar për Deripaskën, të cilin e ka ndihmuar të hetojë një oligark rival rus, kishte shkruar gazeta The Financial Times.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, ai nuk ka bërë të ditur se “ka pasur kontakte” me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkohë, sipas Abrashit, rasti McGonigal nuk është “çfarëdo teme, por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike”, përcjell Paparaci.

“Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike. ‘Një juri e madhe federale e SHBA po heton nëse ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal ka marrë pagesa ose dhurata nga zyrtarë qeveritarë në Mal të Zi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë apo Kosovë’ thuhet në artikullin e BallkanInsight”, shkroi Abrashi në Facebook.

Në fund, ligjvënësi opozitar ka kërkuar sqarime nga ish-ambasadorja Çitaku për “takimet dhe lidhjes e saj me ish-agjentin e FBI-së”.

“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, shtoi Abrashi.