Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit takime të ndara me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.
Po ashtu, Abdixhiku ka pranuar urime për Kuvendin demokratik të LDK-së nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Në një njoftim publik, kreu i LDK-së ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin LDK-së dhe Kosovës, në të gjitha fazat e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik.
Sipas Abdixhikut, këta partnerë mbeten aleatë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe mbështetës të fuqishëm të demokracisë së saj.
Gjatë takimeve, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, qëndrimin e LDK-së ndaj situatës së krijuar, si dhe për nevojën e domosdoshme të formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe parimet demokratike.
Abdixhiku theksoi urgjencën për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore.







