Kryetari i LDK-së

Abdixhiku: Rruga “Jim Xhema” po bëhet, koha të flasim për projekte e jo zymtësi polarizuese si sot

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,ka thënë se rruga “Jim Xhema” po bëhet në kohë e me intensitet të plotë.

Abdixhiku, gjatë vizitës që i bëri asaj që njihet si Rruga “A”, bashkë me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramën, tha se ky projekt me intensitetin aktual të punimeve do të përfundojë qysh para verës së ardhshme.

“Sot, me Përparimin, i bëmë vizitë ekipeve punuese në projektin më të madh kapital që po zhvillohet aktualisht në kryeqytet. E njohur si Rruga A, me 6 korsi, me kolektorë e infrastrukturë moderne përcjellëse, ajo nisi të jetësohet në maj të këtij viti”.

“Punimet tashmë kanë nisur edhe në lagjen Kalabria, me synim të shpejtë për lidhjen e dy anëve në një projekt të ri të madh kapital në Veternik”, tha Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se Prishtina po ecë në rrugë e ritëm të jashtëzakonshëm, teksa falënderoi drejtorin e Infrastrukturës, Krenar Xhaferin.

“Koha të flasim e punojmë për projekte konkrete si zëvendësim i ngarkesës me të shkuarën, e zymtësi polarizuese sot. Kosova meriton më mirë! Kosova, sikurse Prishtina, mundet më shumë”, tha ai.