Kryetari i LDK-së

Abdixhiku: “Rruga e Re” flet për të ardhmen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpalosur edhe një herë programin “Rruga e Re”.

Në emisionin Context në ATV, Abdixhiku tha se 100 pikat e “Rrugës së Re”, janë program i së ardhmes.

Ai tha se qytetarët e Kosovës janë lodhur duke folur për të kaluarën dhe asnjëherë për të ardhmen.

“’Rruga e Re’ synon të flet për të ardhmen. Vitet po shkojnë, ne jemi kurthuar në debat të brendshëm se kush ka faj më shumë për 20 vitet e ardhshme. Njerëzit po ikin çdo ditë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ka folur edhe për takimet që ka pasur me ekspertë të fushave të ndryshme në Kosovë.

“Nga takimet që kam pasur, kemi kuptuar që shoqëria kosovare është polarizuar. Pastaj kemi parë që po rrezikohet demokracia në vendin tonë, njerëzit kanë frikë të flasin lirshëm. Po ashtu, ne nuk kemi debat për politikë publike”, tha Abdixhiku.

Ai tha se plasimi i programit në detaje do të bëhet në muajin nëntor.