Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot ka takuar 100 të rinj të kësaj partie në Rugovë, ku po bëjnë përgatitjet finale para nisjes së fushatës të vullnetarizimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Këta 100 të rinj do të qëndrojnë në secilin qytet e secilin shesh, për t’i ftuar gjithë të rinjtë e të rejat e tjera të angazhohen jo vetëm në një përvojë interesante nga tash e deri në shkurt, por dhe në rrugën tonë të re pas shkurtit!”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kjo lidhje, po nisë me plot pasion e energji, me plot ëndrra të një gjenerate të re që kupton se e ardhmja nuk pritet por bëhet.
“Koha ta bëjmë këtë të ardhme! Unë tashmë kam shtruar vizionin e një rruge drejt kësaj të ardhme, por këtë rrugë s’mund ta bëjë vet. Ajo i përket të gjithëve. I përket në veçanti, secilit të ri e secilës së re që mendon ta bëjë vendin tonë të jetueshëm! Prandaj nga sot, ne kemi shtrirë ftesën për bashkim e angazhim rinor vullnetar në secilën anë! Nga sot, ne nisim ta bëjmë rrugën bashkë!”, ka shkruar lideri i LDK-së. /Ballkani.info/







