Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka nisur ditën e sotme në Klinë me prezantimin e kandidatëve të kësaj partie dhe programit politik, duke adresuar disa prej çështjeve kryesore që, sipas tij, po e dëmtojnë rëndë shtetin e Kosovës.

Në fjalën e tij, Abdixhiku ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme nenet e një vendimi qeveritar që obligonin pensionistët të dëshmonin çdo gjashtë muaj se janë gjallë.

“Ky nuk është reformim i shtetit; kjo është poshtërim i qytetarëve që e ndërtuan këtë vend,” ka deklaruar Abdixhiku, duke e quajtur qeverinë aktuale “dembele” dhe vendimin e saj “të turpshëm”.

Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për korrupsionin qeveritar, duke theksuar se sot, sipas tij, korrupsioni serioz në Kosovë po ndodh përmes grupeve në WhatsApp.

“Të fshehur pas perdes së populizmit dhe patriotizmit të rremë, këta kanë vjedhur në WhatsApp, kanë ndarë tenderë në WhatsApp dhe kanë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp,” është shprehur kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, të pastër dhe të guximshme për vendime të mëdha zhvillimore, duke shtuar se koha për një ndryshim të tillë po vjen.

Në Klinë, ai ka prezantuar dy kandidatë të LDK-së, të cilët i ka cilësuar si përfaqësues të dijes dhe integritetit: Shqipe Pantina, magjistre e Shkencave Politike, me numër 45, dhe Astrit Desku, doktor i shkencave në fushën e Teknologjisë Informative dhe inovacionit, me numër 54.

“Ekipi ynë është dallimi ynë,” ka përfunduar Abdixhiku.