Abdixhiku godet Shpend Ahmetin për objektin e ish-Gërmisë

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku sot ka reaguar kundër rrënimit të objektit të ish-Gërmisë. Ai ka thënë se kjo i duket një ide bizare dhe veç si mendim është i trishtë, e lërë më të ndodhë me të vërtetë.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Prishtina nuk ka shumë objekte që bartin historinë e kryeqytetit, që janë ikonë e një kujtese kolektive dhe se rrënimi i këtyre pak shenjave të mbetura është naivitet.

“Prishtina nuk ka shumë objekte që bartin historinë e kryeqytetit; që janë ikonë e një kujtese kolektive. Rrënimi i atyre pak shenjave të mbetura sot është në rastin më të thjeshtë naivitet, në rastin më të rëndë mbrapshtësi – tipike me logjikën “prish shtëpi e ndërto hajat” “, ka shkruar Abdixhiku

Ai tutje ka shkruar se Prishtina ka mjaft hapësira tjera për ndërtesë të re të Sallës Koncertale dhe se ajo mund të bëht diku tjetër, e jo patjetër në objektin e ish-Gërmisë.

“Qytetet moderne bëjnë sot çmos të prezervojnë secilën shenjë historike që kanë. Ne, ndërsa, me të parën – ta rrënojmë!”, ka theksuar Abdigjiku.

Ai po ashtu ka thënë se do të angazhohet personalisht që kjo ide të vdes që në fillim.