Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot do të mbajë Kuvendin Zgjedhor me ç’rast do të zgjedhën organet udhëheqëse të reja.
Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka për Demokracia.com tregoi se Ramush Haradinaj është kandidati i vetëm që ka paraqitur kandidaturën për kryetar të kësaj partie.
“Deri më tani, vetëm një kandidat ka paraqitur me shkrim kandidaturën, z. Ramush Haradinaj. Nuk kam asnjë informacion për ndonjë kandidat tjetër”, tha Blaka
Në njoftimin dërguar mediave, thuhet se pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor nëpër nëndegë, degë, Aleancë të Gruas dhe Rinisë, në Kuvendin e IX Zgjedhor do të zgjidhet kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së, raporton Demokracia.com.
Ramush Haradinaj është kryetari i vetëm që nga themelimi i AAK-së në vitin 2000.
Haradinaj ka qenë dy herë kryeministër i vendit. Për herë të parë u zgjodh në vitin 2004 dhe në postin e të parit të qeverisë qëndroi vetëm 100 ditë, pasi u detyrua të japë dorëheqje pas ftesës nga Tribunali i Hagës për akuzat për krime lufte, proces ky që zgjati tri vjet, nga 2005 deri në 2008, ku më 3 prill të 2008-es, ai u shpall i pafajshëm.







