“A po përgatitet Lëvizja Vetëvendosje për kompromise të reja me Serbinë?”

Mimoza Kusari – Lila së fundi foli për dialogun me Serbinë, duke thënë se për të duhet një unitet politik nga skena politike kosovare.

Nuk ka shkuar shumë dhe sekretari i përgjithshëm i Nisma-s, Bilall Sherifi, ka reaguar, duke thënë se Vetëvendosje po përgatitet për kompromisë të reja me Serbinë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ai ka pyetur pse VV nuk e respekton Kushtetutën e Kosovës, por kërkon unitet.

A po përgatitet Lëvizja Vetëvendosje për kompromise të reja me Serbinë?
Që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjitha qeveritë e Kosovës kërkonin nga forcat politike dhe shoqëria civile të krijohej një unitet politik për të përpiluar platformën e bisedimeve. Në të gjitha rastet Lëvizja Vetëvendosje kundërshtonte harmonizimin e qëndrimeve duke këmbëngulur se Kosova nuk ka nevojë për platformë të veçantë politike, por qeveria duhet të zbatojë kushtetutën e vendit!
Përveç sabotimit të gjetjes së konsensusit politik rreth kësaj çështjeje, VV-ja nuk u ndal së akuzuari se prapa kërkesës për UNITET POLITIK fshihet kërkesa për kompromise të reja.
Tani, kur dëgjojmë që shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kërkon unitet politik për dialogun me Serbinë, me të drejtë shtrojmë pyetjen përse qeveria e re e Lëvizjes Vetëvendosje nuk zbaton Kushtetutën e Kosovës por kërkon unitet politik, dhe nëse prapa kërkesës për UNITET POLITIK për dialogun me Serbinë fshihet kërkesa për kompromise të reja me Serbinë!
Sido që të jetë, për çdo ditë praktika është duke dëshmuar funksionimin me logjikë të dyfishtë të kësaj force politike.