A po hyn Dardan Sejdiu në PDK?

Komuna e Prishtinës ende nuk e ka zgjedhur nënkryetarin e dytë. Kjo për arsye se Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka emër për këtë pozitë, të cilën mendohet se mund ta marrë ish-anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, por fillimisht ky i fundit duhet edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e PDK-së.

Kohëve të fundit në publik po qarkullojnë zëra se Sejdiu edhe aktualisht gëzon bashkëpunim të ngushtë me eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës në degën e Prishtinës, por që ende asgjë nuk është bërë publike.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e cila ka thënë se e mirëpret Dardan Sejdiun brenda strukturave të PDK-së.

“E çmoj Dardan Sejdiun, do të doja t’i bashkohej PDK-së. Shumë persona që kanë folur kundër PDK-së, tani janë pjesë e jona dhe janë bashkuar gjatë viteve. Jemi në demokraci. Në qeveri ka shumë persona që në të kaluarën kanë qenë pjesë e jona dhe kanë folur kundër VV-së.”, tha Çitaku.

Edhe persona të tjerë kanë folur për një kalim të mundshëm të Sejdiut në PDK, sidomos pas deklaratës së Çitakut.

Bujar Cakolli i PDK-së ka postuar një fotografi të Sejdiut së bashku me Shpend Ahmetin e Fisnik Ismailin duke thënë se “janë të mirë dhe është gjynah me i lanë pa pushtet”, ku i referohet mundësisë që Sejdiu të emërohet si nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

“Pse Dardanin, e jo Shpendin e Fisin. O kqyri po të mirë janë bre, këta o gjynah me i lanë pa pushtet. Ama me mujt diqysh tretë në pako me i pru, besoj që nuk kish pas krizë ma për PDK-në!”, ka shkruar Cakolli.

Edhe brenda PDK-së ka mendime të ndryshme rreth mundësisë së aderimit të Sejdiut në parti. Një pjesë e strukturave e pranon dhe një pjesë tjetër kundërshton që ky të jetë pjesë e subjektit politik e të marrë poste në Komunën e Prishtinës.

Sipas burimeve të lajmi.net, emri i Dardan Sejdiut është lakuar më së shpeshti për pozitën e nënkryetarit të Prishtinës, por që fakti se i njëjti nuk është zyrtarisht pjesë e PDK-së e ka vështirësuar një lëvizje të tillë.

Sejdiu në të kaluarën sa ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate ka qenë ndër kritikuesit më të mëdhenj të PDK-së, por si duket kryesisë së PDK-së nuk i pengon një gjë e tillë, siç është deklaruar edhe nënkryetarja Çitaku.

Në anën tjetër, Sejdiu si duket ka përkrahjen e një pjese të udhëheqjes së PDK-së dhe nuk është emri i vetëm i përfolur për të kaluar në PDK nga të larguarit e dikurshëm nga VV-ja.

Se a do të jetë i pranueshëm brenda PDK-së Sejdiu dhe a do të pranojë Sejdiu të jetë pjesë e PDK-së edhe zyrtarisht ende nuk dihet, por i njëjti ka pasur bashkëpunim me strukturat e PDK-së në Prishtinë kohëve të fundit dhe një përafrim në qëndrime dhe vizionin e PDK-së për kryeqytetin në zgjedhjet e fundit.