A do të shfrytëzohet përsëri Podujeva për pazare të nivelit qendror?

Duke parë zhvillimet e fundit politike, Podujeva si duket përsëri do të mbetët monedhë kusuritje për pazaret e nivelit qendrorë, ashtu siç ishte shfrytëzuar nga PDK-ja, në çdo palë zgjedhje, që sa herë iu është dashur blerja e paqes me LDK-në, kanë bërë pazare duke ia dhënë fitoren e gatshme LDK-së dhe Agim Veliut në dëm të PDK-së. Kjo ngase drejtuesit e PDK-së, asnjëherë nuk kanë qenë të interesuar të fitojnë në Podujevë! Drejtuesit e PDK-së, duket se mjaftoheshin me një grusht vota në Podujevë dhe me fitoren në nivel qendrorë.

Por a do të përsëritet historia e njëjtë edhe me LVV-në, si fituese e zgjedhjeve nacionale kësaj here? Mendoj se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet ta bëjë gabimin e njëjtë si PDK-ja, ta sakrifikoj ndryshimin në Podujevë duke mbajtur në pushtet Agim Veliun, për ta mundësuar qeverisjen në nivel qendrorë. Për AAK-në, në Podujevë s’kemi çka flasim pasi nuk vërehen që ekzistojnë, ka kohë që kanë një koalicion ne heshtje duke ia bërë numrat LDK-së, sa herë që i duhen!!

Tani që shohim përpjekjet për formimin e qeverisë në nivel qendror shohim edhe një zbehje të opozitarizmit në nivel lokal në komunën e Podujevës ku LDK-ja, është pozitë e LVV-ja, opozitë. Mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal la një shije të keqe nga heshtja e opozitës kur bëhej fjalë për bartjen dhe rialokimin e mjeteve për investime kapitale nga granti qeveritar në vlerë prej rreth 428 mijë euro, të cilat do të rialokohen në projekte dhe kode të tjera infrastrukturore. E të gjithë e dinë mirë se rrugët e shtruara gjatë fushatës pa plan dhe vetëm për vota tani duhet të paguhen me këto sallta buxhetore.

Lëvizja Vetëvendosje me çdo kusht dëshiron të mos lëndoj raportet me partnerin e saj të mundshëm derisa të bëhet qeveria. Por sa ndikon kjo në kualitetin e përfaqësimit të qytetarëve nga LVV në nivel komunal kur dihet se mënyra e qeverisjes nga LDK-ja, mbetët e njëjta për të mos thënë vetëm sa përkeqësohet nëse nuk ka opozitë aktive. Kjo nisur nga fakti se në Podujevë e vetmja opozitë serioze ka qenë LVV deri tani. Qoftë me angazhimin e saj në kuvend, qoftë për faktin se ka numrin me të madh të asamblistëve në kuvendin Komunal të Podujevës.

Heshtja përball qeverisjes së keqe, vetëm për të mos lënduar raportet me LDK-në, për shkak të koalicionit të mundshëm është gabim i madh i LVV-së, dhe e bënë të njëjtë me LDK-në, prandaj LVV nuk duhet të heshtë përball qeverisjes së keqe në Podujevë. Qytetarët duhet të binden se votuan për ndryshim mentaliteti në qeverisje dhe jo vetëm për ndryshim emrash të partive që në fakt dalin të jenë të njëjta.
Qytetarët kanë rritur vëmendjen dhe shkallën e vlerësimit për partitë politike prandaj nuk do të falin gabimet e qëllimshme. Kjo u pa me këto zgjedhje që sapo u kryen.
Nëse opozita e tanishme nuk shton aktivitetin ta mbroj interesin e qytetarëve llapjan bëhet e domosdoshme grupimi i shtresës intelektuale jo partiake që do të i ofronte Podujevës një alternativë ndryshe përmes një “Iniciative Qytetare”, e cila do të përgatitej për të garuar me ofertë të qartë për qeverisje në Podujevë.

Mjaft kemi vuajtur si qytetarë për shkak të pazareve të nivelit qendror në kurriz të llapjanëve që PDK-ja i ka bërë deri tani me LDK-në, nuk e kemi as luksin e as kohën ta durojmë të njëjtën me koalicionin e ri LVV &LDK.

loading…