A do hiqen barrikadat sonte në veri?

Vendimi për ta dërguar në arrest shtëpiak ish-policin Dejan Pantiq, i cili përballet me akuzën për terrorizëm, ka ndryshuar situatën në veri të Kosovës. Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës. Por, Pantiq nuk e vuajti paraburgimin në burg, ai gjatë gjithë kohës qëndroi në veri dhe për shkak të tij u ngritën mbi 10-të barrikada atje. Përkundër tensioneve që shkaktoi, Pantiqit sot iu zbutë masa e sigurisë.

Ndërkombëtarët e përshëndetën vendimin e Kosovës për Dejan Pantiqin duke kërkuar tashmë që barrikadat në veri të largohen menjëherë.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se është koha që të hiqen barrikadat në rrugët e veriut të Kosovës. Sipas tij, ato duhet të largohen nga njerëzit që i kanë vendosur, shkruan Periskopi.

Në një intervistë për mediumin serb “Nova”, Hill ka thënë se “e kupton frustrimin e serbëve të Kosovës”, por barrikadimet duhet hequr.

“Ne i kuptojmë pakënaqësitë e komunitetit serb në Kosovë. Ne e kuptojmë se këto pakënaqësi nuk janë mbledhur ditëve të fundit, por kanë qenë aty që disa kohë. Pas të gjithash, komuniteti serb ka qenë në Kosovë për shekuj dhe e kanë të drejtën të dinë se cka ka e ardhmja për ta”, ka thënë ambasadori amerikan.

“ Dhe, kjo është saktësisht për cka ne flasim, kur flasim për dialogun politik – të sigurohet se komuniteti serb jeton në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe ndihet mirë në shtëpinë e tij”.

Derisa në Prishtinë i kërkohet misionit të NATO-s t’i heq barrikadat, diplomati amerikan thotë se barrikadat duhet të largohen nga njerëzit që i kanë vendosur ato.

“Sa për barrikadat, ato janë qartësisht një problem. Nëse shihet prej këndvështrimit të komunitetit serb, ato janë një protestim për shuymë prej tyre. Dua të thëmë se ne e kemi kuptuar pse i kanë vendosur ato dhe i kemi dëgjuar ata, por unë mendoj se është koha që ata që i kanë vendosur këto barrikada, t’i heqin ato”, ka thënë Hill, duke shtuar se ai shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq deklaroi gjatë ditës se ka biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në lidhje me ngjarjet e fundit që ndodhën në ditën e sotme.

Goran Rakiq ka thënë për Pink Tv se nga Vucic kanë dëgjuar “lajmin e mirë për lirimin e serbëve” dhe mendimin e tij se “do të ishte mirë të hiqeshin barrikadat”.

Në anën tjetër shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviq.

Petkoviq e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.

Tash, serbët e vendosur në barrikadën në Rudarë janë duke e pritur ardhjen e kreut të Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe të tjerëve që të kthehen nga takimi që kishin më presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim u raportua se serbëve të Kosovës iu ka kërkuar Vuçiqi që t’i largojnë barrikadat pas lënies në arrest shtëpiak të ish-policit serb Dejan Pantiq dhe lirimit të Nikolla Nedeljkoviq, i riu i arrestuar në Gazimestan.

Vuçiq ka thënë se ka kërkuar që serbët të tërhiqen nga barrikadat dhe ka shtuar se kanë marrë garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja se kërkesat e serbëve do të pranohen.

Tashmë janë bërë 19 ditë që kur serbët në veri të Kosovës me barrikada kanë bllokuar lirinë e lëvizës atje.