Baton Haxhiu: VV-ja ka bërë krim ndaj fëmijëve

Ish-drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “krim ndaj fëmijëve”.

Sipas Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur të miturit për protestat e dhunshme ndaj institucioneve.

“Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë krim ndaj fëmijëve. Në protesta kanë qenë 16 vjeçarët. Aksionet i kanë kryer 16 vjeçarët, sepse ata nuk janë ndjekur penalisht. Paramendoni se deri ku ka shkuar e keqja”, ka deklaruar Haxhiu.

Publicisti Haxhiu, po ashtu ka deklaruar se fundi i raporteve të tij me Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje kishte ardhur pasi “Kurti e përdori studion [e Klan Kosovës] për të sharë media”.

“Pasi është kry emisioni, ia kam thënë një fjali, e cila ka qenë fjali jo bash e lehtë për atëherë”, ka thënë Haxhiu. “Aty ka qenë fundi i një marrëveshjeje me Vetëvendosjen”.

Haxhiu ka thënë se ai i kishte bërë ftesë zyrtarëve të Vetëvendosjes për të qenë pjesë e debateve në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar, por të njëjtit kishin refuzuar të shkonin në televizionin Klan Kosova.