Shqipëri, drejtuesit e institucioneve të pavarura përgjysmojnë pagën për tre muaj

Drejtuesit e institucioneve të pavarura në Shqipëri pranojnë përgjysmimin e pages së tyre për tre muaj, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ruçi, iu drejtua me një thirrje drejtuesve institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19.

Shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve iu përgjigjën menjëherë thirrjes dhe kanë marrë masat përkatëse.

Në Bankën e Shqipërisë thirrjes iu përgjigjën, përveç Guvernatorit Gent Sejko, edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, administratorët dhe drejtorët e Bankës. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, përveç përgjysmimit të pagës së vet, u bëri thirrje edhe vartësve të tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rrethev e të bëjnë të njëjtin veprim, si detyrim moral.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, mori vendim për përgjysmimin e pagës deri në fund të vitit 2020.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë përgjigjur pozitivisht anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Ilir Toska, Brikena Ukperaj, Dritan Hallunaj, Erjon Muharremaj dhe Fatmira Luli. Njëkohësisht KLDGJ u përcolli thirrjen e z. Ruçi të gjithë gjykatave për t’u solidarizuar në mënyrë vullnetare.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë përgjigjur deri tani edhe Avokatia e Popullit Erinda Ballanca, Këshilli Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj, Autoriteti i Mediave Audioviozive, Kryetari i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi; Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi; Komisionerja për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Pra nvera Strakosha; Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Petrit Ahmeti; Kryetari i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Donald Duraj; Drejtuese e komanduar e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli dhe anëtarja e Komisionit të Prokurimit Publik, Lindita Skeja.