Osmani e mbron disi edhe në këtë moment VV-në, i tregon që hapat e radhës në ndërrmarjen e masave duhet të jenë kushtetues

Kryetarja në detyrë e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet për zbatimin të vendimit të Kushtetueses mbi vendimin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes si masë parandaluese ndaj përhapjes me koronavirus.

Gjatë një takimi me ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia, kryetarja në detyrë e Kuvendit Vjosa Osmani ka theksuar se hapat e mëtejmë në këtë drejtim duhet të jenë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetueses dhe zbatimin e legjislacionit aktual.

Osmani ka kërkuar nga qytetarët që t`i respektojnë maksimalisht udhëzimet e institucioneve shëndetësore, duke respektuar distancën sociale, mbajtur higjienën dhe duke shmangur daljet e panevojshme.

Në takim me ministrin Vitia, kryetarja Osmani shprehu gatishmërinë për mbështetje dhe ndihmë në përpjekjet e institucioneve shëndetësore n ë përballje me pandeminë.

Ajo ka përgëzuar ministrin Vitia për angazhimin dhe në të njëjtën kohë ka lavdëruar punën e stafit mjekësor për angazhimin sistematik dhe profesional për mbajtjen nën kontroll të pandemisë dhe zvogëlimin e pasojave.

Vizita e sotme e kryetares Vjosa Osmani në Ministrinë e Shëndetësisë është realizuar për t`u njoftuar me gjendjen aktuale të menaxhimit të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në funksion të zbatimit të rolit të mbikëqyrës të Kuvendit ndaj punës së ekzekutivit.