Vitia ngushëllon familjet e viktimave nga COVID 19: Secili ka mision ta mbrojë shëndetin publik

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shprehur ngushëllime për dy viktimat e sotme nga koronavirusi.

Ai ka përsëritur rekomandimin për të qëndruar në shtëpi dhe të mbahet distanca.

Postimi i tij:

Të dashura qytetare dhe qytetarë,

Siç jeni të njoftuar sot në betejën kundër COVID – 19, humbën jetën dy bashkëqytetarë tanë.
Ngushëllimet për familjet dhe për miqtë e të ndjerëve, i bëjmë bashkë me porositë për të bërë shumë, gjithnjë e më shumë kujdes.

Për veten, për familjarët, për të afërmit tuaj.

Ju lutemi që të ndihmoni si asnjëherë tjetër me solidaritet të lartë dhe me vetdisiplinë të pashembullt.

Ju e dini që nuk duhet të dilni vetëm nëse e keni të domosdoshme. Kur dilni të mbani distancën dhe t’i keni mjetet mbrojtëse dhe të zbatoni rregullat e higjenës.

Rregullat e zbatuara shpëtojnë jetë. Mbajeni në mend që secila e secili ka mision të mbrojë jetën dhe shëndetin publik.

Jemi bashkë në vështirësi dhe hidhërime!