Remzi Hoxha

25 vjet në pritje: ​Familja e Remzi Hoxhës i jep fund kërkimit të eshtrave të tij

25 vite më parë, biznesmeni Remzi Hoxha u rrëmbye nga agjentët sekretë të shtetit shqiptar në Tiranë. Nga atëherë, familja ishte në kërkim të Remzi Hoxhës, por as edhe sot ata nuk kanë një informatë për eshtrat e familjarit të tyre.

Por me rastin e 25-vjetorit të rrëmbimit dhe vrasjes së Remzi Hoxhës, familja ka vendosur që t’i jap fund kërkimit për eshtrat e tij.

Familja ka ftuar mediat në një konferencë që do të mbahet sot, përmes secilës pritet të bëhet e ditur se i ka dhënë fund kërkimeve 25-vjeçare.

“Pas 25 vite vuajtje, maltretime dhe tortura psikike e emocionale, familja jonë ka vendosur t’i jap fund kërkimi të pafund të eshtrave të tija dhe të mbyllim këtë kapitull të tmerrshëm të jetë s tonë”, ka thënë djali i Remziut, Ardian Hoxha.

Ai ka paralajmëruar se në vitin që vjen, më 21 tetor 2021, do bëjnë varrin dhe memorialin e Remzi Hoxhës por që gjithë detajet terja do të bëhen të ditura në konferencën e sotme.

Biznesmeni Remzi Hoxha u rrëmbye 25 vite më parë nga agjentë sekretë të shtetit shqiptar në Tiranë dhe cilësohet si një prej ngjarjeve më të mistershme të dekadave të fundit në Shqipëri.