24 marsi ‘98 “Dita D” për UÇK-në dhe rrjedhën e luftës

Pas betejës së Prekazit me 5, 6 dhe 7 mars 1998, ku në fushë të nderit ranë famija Jashari me 56 dëshmorë të tjerë, qëllimi i falangës serbe ishte shuarja e rezistencës në mbarë Kosovën.

Cak sulmi do të bëhej familja Haradinaj nga Gllogjani, të njohur si familje e cila ishte në veprim konkret me aksione luftarake dhe furnizim me armatime të çelulave të UÇK-së.

Pas një konfrontimi para shtëpisë së Haradinajve, ku mbetën të vrarë dy polic serb, filloi sulmi i organizuar ndaj Haradinajve dhe Gllogjanit.

Forca të mëdha e të armatosura deri në dhëmbë, të mbështetura nga njësitë motorike në tokë dhe helikopteri nga ajri, fillojnë sulmin ndaj familjes Haradinaj në Gllogjan, duke synuar kështu që me eliminimin e tyre të shuajnë edhe rezistencën e armatosur në Kosovë.

Aq e furishme ishte kundërpërgjigja nga kulla e Ilmi Haradinajt me djemtë Ramushin, Shkëlzenin, Dautin dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, sa forcat serbe kurrsesi nuk po arrinin të depërtonin, të cilët zunë peng mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës në Gllogjan.

Në betejën e 24 marsit 1998 në Gllogjan, sërish jehuan pushkët e Ademit e Hamzës, Luanit e Zahirit, Edmondit e Hakifit, si kushtrim që thërret në luftë bijtë e vegjëlisë.

Në këtë betejë ranë në altarin e lirisë, Gazmend e Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, kurse me plagë në trup luftoi deri në tërheqjen e plotë të forcave serbe Ramush Haradinaj.

Pas kësaj dite në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shtuan e pushkët çlirimtare e u bashkuan në një drejtim, kundër okupatorit barbar serb.

Gllogjani u kthye në kullë të pamposhtur nga armiku e Gllogjanasit mbarë dhe bijtë e bijat më të mira të kombit, në ushtarë besnik deri në flijim për idealin kombëtar.

Gllogjani numëron 24 Dëshmorë të Kombit, 24 pishtarë që i bëjnë roje lirisë së mëmëdheut nga “Kulla e Dëshmorëve”, aty ku prehen të qetë në altarin e lirisë.