Arben Beqiri

Krerët e FFK-së e vizitojnë portierin e diagnostikuar me tumor në lukth

Krerët e futbollit kosovar kanë qëndruar sot në shtëpinë e portierit, Arben Beqiri, i cili po vuan nga tumori në lukth.

Portieri mitrovicas bëri të ditur këtë muaj se është diagnostikuar me tumor në lukth dhe se e ka nisur kimioterapinë, përderisa shtoi se pret që brenda tre muajsh të rikuperohet dhe të kthehet në fushën e blertë.

Tanimë, bashkëlojtarë e njerëz të tjerë futbolldashës i kanë dalë në ndihmë Beqirit për ta luftuar këtë sëmundje. Kreu i FFK-së, Agim Ademi, bashkë me nënkryetarin, Bakir Burri dhe sekretarin, Eroll Salihu, sot vizituan dhe shprehën përkrahje për Beqirin.

Ademi i dha kurajë portierit mitrovicas, duke treguar se edhe ai vetë kishte mposhtur këtë sëmundje.

FFK-ja bashkë me krerët e saj e mbështeten edhe financiarisht portierin Beqiri. Pjesë e ndihmës financiare u bë edhe Kompania ‘Broja Market’.

Gjatë karrierës së tij, Beqiri ka luajtur për disa klube të mëdha në Kosovë, si Trepça ’89, Besa, Llapi e të tjera. Me ekipin pejan, para tri vjetësh Beqiri fitoi edhe Kupën e Kosovës, madje duke qenë heroi i ndeshjes, pasi priti disa penallti