20 vjet nga masakra e familjes Berisha, memoriali i të vrarëve ende nuk është ndërtuar

Të martën, më 26 mars, bëhen 20 vjet nga masakra e tmerrshme e vrasjes së 50 anëtarëve të familjes Berisha nga forcat paramilitare serbe në Suharekë.

Përkujtimi i viktimave edhe këtë vit do të bëhet pa përfundimin e kompleksit memorial.

Njëri ndër të mbijetuarit e familjes Berisha, Gramoz Berisha , deklaroi për Ballkani.info se është shumë e rëndë për të që në përvjetorin e vrasjes së anëtarëve të familjes ndërtimi i varrezave të tyre të jetë i papërfunduar.

“E lusim Komunën dhe institucionet tjera që kanë përgjegjësi ndaj varrezave të Berishëve t’i kryejnë ato sa më shpejtë që është e mundur, sepse për neve të mbijetuarëve është shumë rëndë t’i përkujtojmë familjarët me këtë gjendje të varreze”, shtoi Gramozi.

Se varrezat e anëtarëve të familjes Berisha nuk janë në gjendje aspak të mirë, e pranon edhe kreu i Suharekës, Bali Muharremaj.

Ai për Ballkani.info tha se nuk ndjehet aspak mirë që edhe këtë përvjetor të masakrës familjarët e të vrarëve po e presin pa kryerjen e memorialit të Berishëve.

“Është projekt që ka filluar vitin e kaluar. Mjetet janë ndarë nga Qeveria e Kosovës dhe po presim që sa më shpejt të kryhen punimet. E di që kjo nuk është e mirë”, tha Muharremaj.

Ai tha se shpreson që të paktën më 13 qershor të këtij viti, në ditën e çlirimit të Suharekës, të jetë i përfunduar ky memorial.

Rikujtojmë se 50 anëtarët e familjes Berisha u vranë mizorisht nga focat serbe më 26 mars të vitit 1999, dy ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s. /Ballkani.info/