2 mars 1999, deklarata që ndau Kurtin nga UÇK

Një deklaratë e 2 marsit 1999, nga zyra e Adem Demaçit, pjesë e së cilës ishte edhe Albin Kurti, kishte dhënë lajmin për ndarjen e rrugëve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për shkak të zhvillimeve në Rambuje.

Nga një zyrë që i shërbente UÇK-së, ajo ishte shndërruar në zyrë për analiza, propozime dhe këshilla politike. Zyra e Demaçit ishte tërhequr nga misioni i saj i parë, siç thuhet në deklaratë, për të mos shkaktuar fërkime brenda UÇK-së, e cila ishte pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje.

Kjo zyrë, që udhëhiqej nga Demaçi, akuzonte përfaqësuesit e delegacionit kosovar në Rambuje se kishin braktisur parimet e UÇK-së.

Në dokumentin që e ka siguruar Gazeta Express, thuhej se me daljen në shesh të individëve nga radhët e UÇK-së, të cilët po përgatisnin Marrëveshjen e Rambujesë, “punët ndryshuan”.

“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta, të cilat janë materializim i vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njëjta. Mirëpo, me daljen në shesh të disa individëve nga radhët e UÇK-së, që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen e Rambujesë, punët ndryshuan. Ky numër individësh, në këtë mënyrë, braktisën parimet themelore të UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit, të shprehur në Referendumin e 1991-tës”, thuhet në këtë deklaratë.

Zyra e Demaçit, ku bënte pjesë dhe Kurti, thoshte se nuk mund ta kapërdijë këtë marrëveshje (të Rambujesë).

“Ne nuk mund ta kapërdijmë këtë marrëveshje sepse ajo është në kundërshtimme bindjet tona dhe me idenëtonë përjetënelirë në trojet tona mijëvjeçare”, thuhej në fund.

Përndryshe, PSD sot ka mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku kryeministrin aktual Kurti, që është edhe veteran lufte, e kanë shpallur “veteran të rrejshëm”. Kjo vjen pas përpjekjeve të Kurtit për të nisur një proces verifikimi të listave të veteranëve.

Ditë më parë ai kishte thënë që nuk beson se Kosova ka 60 mijë veteranë, sa janë aktualisht të verifikuar në procese të mëparshme. /GazetaExpress/