1 mijë e 996 të vdekur nga COVID-19

Më 13 mars të vitit që lamë pas Kosova shënoi dy rastet e para pozitivë COVID-19. Prej atëherë e deri më sot janë 98 mijë e 341 persona që u infektuan me këtë virus vdekjeprurës.

Virusi korona mori jetën e 1 mijë e 996 qytetarëve në vend.

Vetëm në 24 orëshin e fundit në Kosovë u shënuan 8 raste të vdekjes. Të dhëna këto të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

IKShPK raporton se aktualisht në vend janë 13 mijë e 763 raste aktive me COVID-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.208 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 345 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 3 raste (76, 70, 49 vjeç), Kamenicë 1 rast (59 vjeç), Lipjan 1 rast (64 vjeç), Pejë 1 rast (77 vjeç), Prishtinë 1 rast (68 vjeç), Skenderaj 1 rast (80 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 98.341 raste nga 478.625 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.996 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 518 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 82.582 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.763”, thuhet në raportin e IKShPK-së.

Sërish Komuna e Prishtinës shënon numrin më të lartë të rasteve pozitive me COVID-19.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 113 raste, Gjakovë 45 raste, Gjilan 37 raste, Mitrovicë 30 raste, Ferizaj 18 raste, Fushë-Kosovë 18 raste, Podujevë 16 raste, Vushtrri 13 raste, Pejë 10 raste, Prizren 10 raste, Lipjan 7 raste, Skenderaj 6 raste, Dragash 4 raste, Kamenicë 4 raste, Deçan 3 raste, Obiliq 2 raste, Rahovec 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Junik, Kaçanik, Klinë, Malishevë dhe Shtime.