​Zemaj numëron “sukseset” 100 ditore, pandemia vazhdon të mbetet sfidë

Kur Kosova u përball me rastet e para me COVID-19, pati vetëm 82 respiratorë funksionalë në sektorin publik, tash pas tetë muajve sektori publik ka në dispozicion mbi 300 të tillë. Institucionet shëndetësore po zotohen se janë duke bërë planin për menaxhimin e situatës në rast të përkeqësimit të gjendjes me pandeminë. Ku sipas tyre, do të jenë në dispozicion rreth 1000 shtretër. Ndërkaq, sa i përket vaksinës anti-COVID, Kosova do të sigurojë donacione për 20 për qind të popullatës.

Në 100 ditëshin e punës së tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se i kanë kushtuar rëndësi kapaciteteve, ku përveç mobilizimit të Klinikës Infektive, janë vënë në dispozicion edhe klinikat tjera, me gjithsej 700 shtretër për COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe për procesin mësimor i cili është duke u zhvilluar në këto rrethana, ku sipas tij duhet të shtohet kujdesi.

“Mësimi është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt me kufizimet të cilat i kanë paraparë udhëzuesit dhe protokollet. Kontaktet tona të përditshme me ministrin e Arsimit dhe task-forcet të cilat janë të ndërlidhura edhe me IKShP-në tregojnë që ne mund të ja dalim edhe me këto kohë të vështira. Kujdesi duhet shtuar. Ky lirim nuk duhet të na lejojë të kemi mbivlerësim të vetvetes dhe tejkalim të vëmendjes nga masat të cilat duhet të respektohen. Edhe sot 8300 nxënës iu janë nënshtruar testit të maturës, sapo përfundoi ky sukses i cili u vlerësua i suksesshëm me respektimin e masave anti-COVID-19”, tha ai.

Zemaj tha se të hënën do të takohet me kryeministrin dhe gjitha inspektoratet, ku do të kërkojnë ndihmën dhe mbështetje sipas ligjeve në fuqi të Policisë së Kosovës. Sipas tij, çdo lëvizje negative e cila mund të qojë në përkeqësim të gjendjes, do të detyrojë ata të marrin masa kufizuese.

“Në fillim të mandatit rekrutuam 200 specialistë shëndetësorë, 100 mjekë në mesin e të cilëve edhe mikrobiologë. 62 infermierë, 20 inspektorë sanitarë, 4 specialistë të mikrobiologjisë, 8 laborantë. Pastaj shpallëm konkursin për 1500 specializantë, duke përfshirë këtu edhe 70 vende për vëllezërit dhe motrat nga Lugina e Preshevës. Konkursi është në përfundim. Derisa përmes ri-organizimit të projektit të shëndetësisë kosovare, kemi rekretuar edhe 375 profesionistë të fushave të ndryshme mjekësore dhe staf mbështetës në funksion të fuqizimit të kapaciteteve njerëzore profesionale kundër pandemisë COVID-19”, theksoi Zemaj.

Veç tjerash, Zemaj tha se gjatë kësaj kohe kanë gjurmuar raste në terren dhe IKShP posedon gjashtë aparatura për testime PCR. Ai ka theksuar se kanë blerë mbi 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal, ndërsa 250 mijë të tjera janë në proces të prokurimit.

“Sa i përket vaksinës kundër COVID-19, MSh ka komunikuar me Covax dhe po mban kontaktet edhe me OBSh-në dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë për mundësinë me qëllim të sigurimit të vaksinave për të gjithë popullatën. Ku përveç 20 përqindëshit do t’i jipen Kosovës falas nga kjo aleancë, dhe sipas kriterit të ofrimit të vaksinës për të gjitha vendet, përfshirë edhe ato me të ardhura të ulëta”, shtoi ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi theksoi se janë duke bërë përgatitjet në rast të valës së re të përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Ju e dini që kishim në dispozicion mbi 700 shtretër gjatë kësaj kohe. Tani kemi planin që të kemi gati deri në 900 apo 1000 shtretër, në hapësirat ekzistuese nëse kësaj i shtohet mundësia e Klinikës Emergjente që do të adaptohet. Në të njëjtën kohë kanë filluar trajnimet për stafin mjekësor që të jetë sa më i përgatitur për përballimin e një vale tjetër të rëndësishme. Jemi në pritje edhe të angazhimit të specializantëve të ri nga MSh që do t’i bashkangjitet kontigjentit. E po ashtu jemi në pritje të miratimit të rregullores të qeverisë për procesin e rekrutimit të specialistëve të papunë”, ka shtuar ai.