​Vitia: Deri më 17 tetor fokusi im do të jetë në Ministrinë e Shëndetësisë, do jap maksimumin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pret që Kosova të tregojë rezultate të mira në luftën me pandeminë deri në tetor të këtij viti, koha kur ai synon të dalë në krye të Komunës së Prishtinës. Vitia, i cili është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kryeqytetit, ka thënë se 17 tetori nuk do ta gjejë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, por që deri atëherë do të bëjë maksimumin për menaxhimin e pandemisë.

Edhe pse synon t’i futet garës për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka thënë se aktualisht fokusin e ka në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Unë jam në Ministrinë e Shëndetësisë dhe i gjithë fokusi im është në Mistrinë e Shëndetësisë dhe i gjithë fokusi im do të jetë në Ministrinë e Shëndetësisë derisa të jenë rezultatet e mira në raport me pandeminë. Ta keni parasysh që 17 tetori natyrisht që nuk do të më gjejë si ministër të Shëndetësisë, por deri në atë kohë do ta bëjë maksimumin ashtu siç jam duke bërë tani”, ka thënë Vitia.

Lidhur me procesin e vaksinimit, ministri i Shëndetësisë ka thënë se pritet që të shtohen ekipet edhe nëpër komunat e tjera të Kosovës.

“Procesi i vaksinimit po shkon mirë, komunat kanë shprehur gatishmërinë për të shtuar numrin e ekipeve të vaksinimit, por natyrisht për shkak edhe të logjistikës, për shkak edhe të sistemit të regjistrimit e-kosova, kjo po shkon në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe natyrisht që kjo merr kohë, mirëpo me ritmin qysh jemi duke u vaksinuar tani dhe me interesimin e qytetarëve, ky procesi  vaksinimit mund të them që është më i shpejti për momentin, jo vetëm në rajon por edhe vende të tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa për tollovitë e krijuara para qendrave të vaksinimit, Vitia ka thënë se situate do të menaxhohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e cila do të sigurohet që të mbahet rendi.

“Kemi folur dhe jemi në kontakt vazhdimisht me Ministrinë e punëve të Brendshme, aty do të jenë edhe forca policore në mënyrë që ta mbahet rendi, në të njëjtën kohë apeloj të qytetarët që bëjnë termin sepse kjo është mënyrë më e mirë për të shmangur tollovitë dhe mënyra më e mirë për t’u administruar dhe regjistruar në sistem ata që e marrin vaksinën”, ka thënë Vitia.

Edhe njëherë ai theksoi se nga nesërm qytetarët do të mund të vaksinohen edhe ditën e shtunë.