​Vështirësi në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

Dy dekada pas luftës askush nuk është dënuar për krimet që janë bërë, ndërsa Kosova po vazhdon të përballet me vështirësi për sigurimin e provave. Janë vetëm tre prokurorë që po merren me krimet e luftës në Prokurorinë Speciale, e ky numër po shihet si pengesë për trajtimin e të gjitha rasteve dhe zbardhjen e tyre.

Kështu u tha sot në diskutimin “Krimet e luftës-Sigurimi i provave, sfidat dhe përvojat me dëshmitarë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka konsideruar se 20 vjet pas luftës, një ndër sfidat më të mëdha gjyqësore, mbetet procesi për krimet e luftës, duke marrë parasysh që kompetencat për këto lëndë kanë kaluar nga një administratë në tjetrin.

Udhëheqësja e departamentit për krime luftë në Prokurorinë Speciale, Drita Hajdari problemin më të madh për sigurimin e provave e konsideron Tribunalin e Hagës. Sipas saj, krimet e luftës pas dy dekadave, kanë qenë çështje që e kanë trajtuar ndërkombëtarët, e për të cilat askush nuk u interesua se çfarë po ndodhë me lëndët.

Nga misioni i EULEX-it, Hajdari tha se janë trashëguar raste kur është filluar diçka të punohet, mirëpo shumica e rasteve janë në fazën e hershme para penale, ose raste në të cilën nuk është ndërrmarrë asgjë.

Hajdari mes tjerash ka theksuar se nga misioni i EULEX-it, kanë pranuar lëndë në formë të kopjeve, për të cilat tha se kanë kërkuar edhe origjinalin, e që nuk kanë pasur mundësi t’i gjejnë.

Udhëheqësja e departamentit për krime të luftës, ka theksuar se ka  raste të dëshmitarëve të cilët nuk dëshirojnë të dëshmojnë.  

Me këtë u pajtua edhe avokati Artan Çerkini, ku sipas tij sa më e vjetër që është prova, aq më e vogël është vlera provuese e saj. Faktimi i veprave penale tha se është proces i ndërlikuar, sepse prej kohës kur ka ndodhur krimi, kujtesa e dëshmitarit zbehet dhe është vështirë sigurimi i provave.

Prokurori i EULEX-it, Paul Flynn tha se shumica e dosjeve ishin vetëm kopje e dokumenteve kopje, për më tepër sipas tij kanë pasur problem me dëshmitarët.

Problem tjetër, tha se ka qenë çështja e ndryshimit të deklaratave.  E avokati Dejan Vasiq tha se dëshmitarët të cilat jetojnë tash në Serbi, kanë qenë të frikësuar që të vijnë e dëshmojnë, për shkak se janë frikësuar të thonë të vërtetën. Mirëpo, sipas tij, ata të cilët jetojnë në Kosovë, më lehtë e kanë pasur të dëshmojnë atë që kanë parë gjatë luftës.